Veliu kërkon zgjedhje në LDK: Rezultati i 7 qershorit nuk duhet të maskohet si fitore

Lajme5 days ago68 Views

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke thënë se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit për LDK-në nuk duhet të paraqitet si fitore.

Veliu tha se përgjegjësia më e madhe për këtë rezultat bie mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidenten Vjosa Osmani.

“Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj. Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile. Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet”, shkroi Veliu.

Ai tha se ky rezultat erdhi si pasojë e shpërfilljes së shqetësimeve që, sipas tij, i kishin ngritur aktivistët e LDK-së ndër vite. Veliu kërkoi që partia të nisë një proces të ri zgjedhor të brendshëm.

“Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë, sepse e morën përgjigjen nga elektorati. LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete. Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore”, shkroi ndër të tjera ai.

Agim Veliu është një ndër figurat e LDK-së që ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat e renditën LDK-në si partinë e tretë në Kosovë.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...