
Kjo nisi kur zonja Mihali, me një postim në Facebook, e konsideroi kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, si “klloun të PDK-së”, duke e përmendur edhe Sami Lushtakun.
“Shumë barrë të rëndë ia kanë lënë rrjeti kriminal dhe samilushtakët që herë pas here i shfaqen si fytyrë Uranit. Ky klloun duhet vazhdimisht të sulmojë qeverinë që PDK të sigurohet se bllokohen prapë institucionet”, kishte shkruar ajo.
Kryetari Lushtaku iu kundërpërgjigj duke thënë se i vetmi “grup kriminal” që duhet të japë përgjegjësi janë ata.
Ai shtroi pyetjen se “kush je ti që kontrollon çdo gjë në Vetëvendosje”, duke e quajtur zonjën Mihali “greke të dyshimtë”.
“Si është e mundur që Vetëvendosje dhe i gjithë pushteti i saj në Kosovë të drejtohet nga një greke e dyshimtë? Prej nga vjen dhe kush të qëndron prapa? Kush të financon ty? Çfarë misioni ke në Kosovë? Për kë punon ti? A të ka sjellë në Kosovë shërbimi grek, serb apo rus?”, ka shkruar Lushtaku në llogarinë e tij në Facebook.
Më pas, koordinatorja e Komiteteve reagoi përsëri, duke akuzuar ish-komandantin e UÇK-së se po e përdor kontributin e tij në luftë për të justifikuar përfitimet e mëvonshme.
“Ti dhe soji yt që për një vit ke mbajtur armën në krah, i ke dhënë vetes të drejtën me grabit pasurinë e popullit tënd për 20 vjet”, shkroi Mihali, duke shtuar se pjesëmarrja në luftë nuk i jep askujt të drejtën për përfitime personale apo keqpërdorim të pushtetit.
Në fund të reagimit të saj, ajo vuri në pikëpyetje edhe kohën e përfshirjes së Lushtakut në luftë, duke shkruar: “Por edhe për atë mbase me të pyet kur erdhe në luftë, o zotëri? Në cilin muaj e vit?”./Gazeta Journal/





