
Në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Daka tha se përgjegjësia për tejkalimin e krizës politike bie mbi partitë parlamentare, të cilat sipas saj duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për formimin e institucioneve dhe për të siguruar stabilitet politik.
Sipas Dakës, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, Kosova rrezikon të mbetet e bllokuar në një cikël të vazhdueshëm zgjedhjesh dhe qeverish me mandat të kufizuar.
“Partitë politike, nuk e di cila me cilën, ajo që është në pushtet dhe njëra nga partitë opozitare apo dy, apo të gjitha, duhet të dialogojnë dhe të arrijnë një marrëveshje që vendi të shkojë përpara. Përndryshe do të sillemi në këtë rreth vicioz. Çdo gjashtë muaj do të kemi zgjedhje, ushtrues të detyrës, qeveri në detyrë. Do të kemi para që shpenzohen kot, në vend që të shpenzohen për të mirën e qytetarëve”, tha Daka.
Daka tha se nga deklaratat e deritanishme shihet se LDK-ja ka gatishmëri për një koalicion, por sipas saj, çështja e presidentit mbetet ende pengesë.
“Nga ajo që kemi parë, por edhe nga disa deklarata të disa eksponentëve të LDK-së, shihet që kanë gatishmëri që të bëjnë një koalicion. Mirëpo megjithatë mbetet peng emri i Vjosa Osmanit. Pse shkuam në zgjedhje ishte mu ai emër, për shkak të të cilit shkuam në zgjedhje. Dhe se a do të ketë LDK-ja emër tjetër është çështje tjetër, meqenëse e gjithë fushata që është zhvilluar dhe sloganet kanë qenë në drejtim që zonja Osmani ta marrë mandatin e dytë si presidente. Se sa do të arrihet kjo të tejkalohet, mbetet të shohim në ditët në vijim”, ka thënë ajo.
Kosova shkoi në zgjedhje më 7 qershor pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë presidentin e vendit. Këto zgjedhje u organizuan vetëm gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. /Gazeta Journal/.





