OEK kërkon sqarime për taksat e reja të Prishtinës: Çdo kosto shtesë i bartet qytetarit

Lajme2 hours ago3 Views

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësimin e komunitetit të biznesit lidhur me draft-rregulloren e Komunës së Prishtinës për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, duke thënë se çdo taksë e re për bizneset përkthehet në kosto shtesë që në fund bartet te qytetarët.

Komuna e Prishtinës ka nxjerrë për konsultim publik Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale. Ajo parasheh ndryshime në mënyrën e taksimit të bizneseve, duke përcaktuar tarifa vjetore sipas llojit të veprimtarisë ekonomike.

Kryetari i OEK-ut tha se ende ka paqartësi rreth mënyrës së zbatimit të disa prej masave të propozuara dhe kërkoi sqarime shtesë nga komuna para miratimit të rregullores.

“Për neve është e paqartë, për shkak se sipas paraqitjeve publike, aq sa kemi pas mundësi me pa, taksa thuhet që do të vendoset vetëm për vetura, por jo edhe për makineri ose mjete të punës. Për këtë arsye jam ndoshta i paqartë. E dyta, në qoftë se vendoset ndonjë taksë, se vendosja e çfarëdo takse qoftë, ajo është kosto ekstra për biznesin. Dhe padyshim, siç e thashë, i bartet konsumatorit se e rrit çmimin. Kështu që prapë i bëjmë thirrje zyrtarëve të komunës që, në një afat sa më të afërt, para se të dalë për votim kjo rregullore, para se të finalizohet, ta kemi edhe një takim në mënyrë që ta qartësojmë edhe më shumë se si do të implementohet”, ka deklaruar Rafuna për Ekonomia Online.

Rafuna deklaroi se, përveç përmbajtjes së masave, rëndësi ka edhe koha e zbatimit të tyre.

“Shikoni, duhet me e pa edhe momentumin. Se nganjëherë janë vendimet shumë të drejta, shumë të mira, mirëpo duhet me e ditë se kur është momentumi më i mirë për t’i futë në fuqi dhe për të filluar me i apliku. Kështu që, unë besoj që zyrtarët e komunës e kanë vlerësuar edhe këtë çështje dhe data e hyrjes në fuqi, ose muaji, ose viti, besoj që do të shqyrtohet prapë”, tha ai.

Në draft janë përfshirë kategori të ndryshme biznesesh, përfshirë sektorin e ndërtimit, tregtisë, hotelerisë, shëndetësisë private, arsimit privat, bankave, telekomunikacionit dhe shërbimeve profesionale, me tarifa të veçanta për secilën veprimtari.

Megjithatë, sipas tij ndër sektorët që mund të preken më shumë janë transporti dhe ndërtimtaria, për shkak të operimit të tyre në territorin e Prishtinës me mjete dhe makineri të regjistruara në komuna të tjera.

“Kemi pritje që, kur të mbyllet diskutimi publik, të kemi zyrtarët e komunës në një takim edhe që të diskutojmë, por edhe me bizneset tona brenda do ta diskutojmë, me shoqatat sidomos, këta më shumë t’i e prek shoqatën e transportit, qoftë të mallrave, qoftë të udhëtarëve, po edhe shoqatën e ndërtimit, kur dihet që ata brenda ditës qarkullojnë edhe kanë mauna, kanë makineri që i kanë të regjistruara në komuna të tjera. Dhe ata operojnë në Prishtinë, kështu që na duhet me pa se cilat janë mundësitë që biznesit të mos i ngarkohet me këtë taksë”, ka deklaruar Rafun

Konsultimi publik për Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale ka filluar më 13 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 24 qershor 2026.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...