
Mediat lokale publikuan pamje, që tregonin se një vajzë hoqi flamurin izraelit të vendosur në Ambasadën e Izraelit në Tiranë dhe e grisi atë gjatë kohës kur protestues të shumtë po marshonin në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë.
Protestat po vijojnë në ditën e 22-të kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec dhe protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane që kemi ndërtuar dhe po forcojmë çdo ditë. Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim”, tha përmes një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropës e Shqipërisë.
Sipas kësaj ministrie, ky veprim përfaqëson vetëm ata që “kërkojnë të provokojnë dhe përçajnë e përhapin urrejtje”, duke shprehur solidaritet me Ambasadën e Izraelit, dhe duke theksuar se gjuha e urrejtjes nuk mund të ketë vend në Shqipëri.
Zëvëndëskryeministrja Albana Koçiu reagoi duke thënë se “çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm”.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Izraeli. Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, shkroi në X se “një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”.
Reagime pati edhe nga Komuniteti Hebraik Shqiptar, që e cilësoi këtë ngjarje jo vetëm thjesht si një incident, por si “sinjal alarmi”.
“Historia ka treguar se antisemitizmi nuk fillon me dhunë; ai fillon me fjalë, me propagandë, me demonizim dhe me heshtjen përballë tyre. Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që individë të maskuar apo grupe radikale të njollosin reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë. Ky është vendi që gjatë Holokaustit mbrojti hebrenjtë kur pjesa më e madhe e Evropës i dorëzonte drejt vdekjes”, u tha në reagimin e këtij komuniteti në Tiranë.
Ngjarja u dënua ashpër edhe nga Partia Demokratike në opozitë, që e cilësoi si “akt kriminal, ekstremist dhe antisemit”.
Ndërkaq policia e Tiranës ka proceduar penalisht, në gjendje të lirë, nëntë protestues.
Kjo masë vjen teksa disa protestues qëndruan gjatë natës – dhe vijojnë të qëndrojnë – para Kryeministrisë në Tiranë.
Policia e Shtetit tha se katër shtetas shqiptarëzaptuar hapësirën publike duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevardin në qendër të Tiranës, ndërsa kanë refuzuar të largohen pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e zonës dhe respektimin e dispozitave ligjore. Organi ligjtzbatues shtoi se po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të së shtunës.
Në ditën e 22-të të protestës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si dhe anulimin e projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan, në jug të Shqipërisë. Një ditë më parë pjesë e protestës janë bërë edhe shqiptarë nga diaspora.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të shtunën se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushner dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ai gjithashtu tha se protesta tregoi se “si sheshi është kthyer në një studio për të ushqyer algoritmin” e rrjeteve sociale.
Projekti në Zvërnec, afër Vlorës, është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat. /REL





