Zemaj akuzon Qeverinë për keqmenaxhim në shëndetësi: Gjendja në QKUK dhe spitale është alarmante

Lajme2 days ago24 Views

Kandidati per deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se gjendja në spitalet e Kosovës dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është shqetësuese.

Zemaj tha se pacientët po përballen me sfida të shumta, duke filluar nga mungesa e barnave deri te, sipas tij, keqmenaxhimi i institucioneve shëndetësore.

“Prej kohësh kemi ngritur shqetësimet se korrupsioni dhe interesat e grupeve të caktuara farmaceutike kanë ushtruar ndikim të madh në Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Vitia, e deri te kabineti i Albin Kurtit. Sipas gjendjes aktuale, degradimi dhe keqmenaxhimi në QKUK dhe në spitalet rajonale kanë arritur nivele shqetësuese. Pacientët jo vetëm që përballen me mungesë të barnave për shkak të menaxhimit të dobët, shpërdorimeve ose vjedhjeve të mundshme, por ekzistojnë edhe shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa barnave që futen në sistemin publik shëndetësor”, shkroi Zemaj.

Ai bëri thirrje për hetim nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që, sipas tij, të garantohet siguria e qytetarëve dhe integriteti i sistemit shëndetësor.

“Këto çështje kërkojnë hetim të plotë dhe të pavarur nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të garantohet siguria e pacientëve dhe integriteti i sistemit shëndetësor. Mos të flasim edhe për tenderët njëburimorë dhe çmimet e stërfryera në këto kohë, kur nuk ka mbikëqyrje parlamentare. Kjo qasje s’ka arsyetim, do hetim dhe përgjegjësi”, theksoi ai.

Ky reagim erdhi pasi gjatë ditës së sotme në Spitalin e Mitrovicës janë larguar nga përdorimi rreth 1,500 solucione mjekësore, për të cilat dyshohet se nuk i përmbushin standardet e përcaktuara.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...