Kurti shmang pyetjet për një koalicion të mundshëm me LDK-në

Lajme2 days ago59 Views

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është shmangur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mundësinë e një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Teksa mori pjesë në aktivitetet për shënimin e Ditës së Shërbyesve Publikë, Kurti nuk iu përgjigj interesimit të mediave për zhvillimet politike pas zgjedhjeve, duke dhënë vetëm një urim.

“Urime Dita e Shërbimit Publik sot”, tha ai.

Kurti, një ditë më parë, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe uroi partitë opozitare për rezultatet e arritura në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai po ashtu i cilësoi zgjedhjet e mbajtura më 7 qershor si të panevojshme dhe bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar aq nga zgjedhjet paraprake. Është koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje. Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore. Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë dhe është jetike që sa më parë të kemi Kuvend të konstituar, qeveri me mandat të plotë dhe president të zgjedhur”, kishte thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë në zgjedhjet e 7 qershorit, duke siguruar 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...