Kryeziu kërkon rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së, ankohet në PZAP

LajmeYesterday53 Views

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndrim Kryeziu, ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së.

Kryeziu, përmes një postimi në Facebook, tha se ankesa bazohet në rezultatet e rinumërimit të 185 vendvotimeve, ku atij i janë shtuar rreth 600 vota, gjë që sipas tij dëshmon se ka pasur parregullsi në procesin e numërimit.

“Për këtë arsye kam kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në rinumërimin e deritanishëm. Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë”, ka shkruar ai.

Kandidati për deputet tha se është e rëndësishme që të garantohet integriteti i votës së qytetarëve dhe saktësia e rezultatit përfundimtar.

“Më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është vullneti i tij më 7 qershor 2026. Bazuar edhe në procesin e kaluar zgjedhor, ku në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 më janë shtuar vota në çdo komunë pas rinumërimit, konsideroj se edhe ky proces ka deformime, prandaj kam parashtruar ankesë në PZAP dhe kërkoj që çdo votë të numërohet drejt, sepse ajo i takon kandidatit për të cilin kanë vendosur qytetarët, e jo komisionerët”, ka shkruar ai.

Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili po ashtu ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në PZAP për rinumërimin e votave të kandidatëve të kësaj partie.

PDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit siguroi 22 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...