
Gërvalla tha se vendimet do të merren duke pasur interesin e Kosovës si prioritet.
“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me SHBA-në. Gjatë pesë viteve të fundit kemi treguar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet se jo vetëm që diskutojmë, por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Kosovës”, u përgjigj Gërvalla para gazetarëve.
Kjo deklaratë e Gërvallës erdhi pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha të enjten se nuk i kishte parë thirrjet e të ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, që Kosova t’i bashkohet këtij projekti.
Ditëve të fundit ka pasur reagime edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka vlerësuar se shpërfillja e qëndrimeve amerikane mund të ndikojë në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, thuhej në reagimin e OEAK-ut më 17 qershor.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, duke u bërë thirrje institucioneve që të përfshihen në këtë projekt dhe duke vlerësuar se mungesa e Kosovës përbën disavantazh ekonomik.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, tha OEK.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që synojnë zgjerimin e ndikimit energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon./Gazeta Journal/.





