
Rama publikoi në Facebook postimin e një gruaje nga Tetova, e cila kritikonte bashkëkombësit e saj që po marrin pjesë në protestat antiqeveritare në Shqipëri. Duke komentuar mbi këtë çështje, kreu i qeverisë shqiptare tha se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë, por popull shtetformues në shtetin e tyre.
Ai kritikoi ashpër atë që e quajti paraqitje të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si “diasporë” në aktivitete politike në Tiranë, duke pretenduar se organizime të tilla dëmtojnë imazhin e shqiptarëve dhe të Kosovës.
Në reagimin e tij, Rama u ndal veçanërisht te përdorimi i flamurit të UÇK-së në protesta kundër qeverisë shqiptare, duke e cilësuar këtë si një përdhosje të simbolit të luftës çlirimtare.
Megjithatë, në pjesën përmbyllëse të shkrimit, të titulluar “Post Scriptum”, ai kërkoi që qëndrimi i disa protestuesve të mos lidhet me emrin e kryeministrit të Kosovës.
“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata”, shkroi Rama.
Ai tha se çdo forcë e madhe politike ka individë që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e lidershipit, ndërsa shtoi se do të fyente inteligjencën e Kurtit nëse do të mendonte se ai gjykon njësoj si personat që ai kritikoi.
“Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkroi Rama.





