
Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se këtë kërkesë e ka bërë bazuar në statistikat e dala nga rinumërimi i 185 vendvotimeve.
“Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 6 vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se është e rëndësishme që PZAP-ja të marrë një vendim të paanshëm dhe të sigurojë integritetin e procesit zgjedhor.
“Më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është vullneti i tij më 7 qershor 2026. Bazuar edhe në procesin e kaluar zgjedhor, ku unë kam identifikuar dhe paraqitur me fakte manipulimin e procesit zgjedhor më 28 dhjetor 2025, edhe ky proces ka deformime, prandaj kam parashtruar ankesë në PZAP”, ka shkruar Haxhiu.
PDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit doli partia e dytë në vend, duke siguruar 22 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, Bekim Haxhiu u rendit i 19-ti në listën e kandidatëve të PDK-së dhe, sipas rezultateve aktuale, nuk ka arritur të bëhet pjesë e kësaj legjislature.





