
“Mund ta marrim nën kontroll Ngushticën, nëse duhet”, tha Trump gjatë një bisede telefonike 20-minutëshe me Fox News. “Nëse nuk bëjnë marrëveshje, ne do të mbledhim tarifa kalimi”.
Të shtunën, mediat shtetërore iraniane raportuan se komanda ushtarake e Iranit deklaroi se do ta mbyllë ngushticën për shkak të shkeljeve të pretenduara të armëpushimit në Liban nga Izraeli dhe për shkak të “dështimit” të SHBA-së për ta zbatuar pikën e parë të marrëveshjes paraprake për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë bisedës me Fox News, Trump dukej se e kërcënoi me rifillimin e bombardimeve amerikane në Iran dhe ndaj negociatorëve iranianë që po takohen me zëvendëspresidentin JD Vance në Zvicër.
“E mbyllni atë dhe nuk do të keni më shtet”, tha Trump se u kishte thënë zyrtarëve iranianë lidhur me këtë rrugë ujore strategjike. “Madje nuk do të arrini as të ktheheni në dreq vendin tuaj”.
Trump përsëriti se beson që SHBA-ja mund të bëhet “engjëlli mbrojtës” i ngushticës dhe të marrë 20% të naftës që kalon përmes saj.
CNN ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për më shumë detaje mbi atë se çfarë do të nënkuptonte marrja nën kontroll e ngushticës.
Trump kërcënoi sërish Iranin edhe për shkak të aleatëve të tij në Liban.
“Irani duhet t’i ndalojë menjëherë PROXIT e tij shumë të paguar në Liban që të shkaktojnë telashe”, shkroi Trump në Truth Social të dielën në mëngjes. “Nëse nuk e bëjnë këtë, do ta godasim Iranin përsëri shumë fort, ashtu siç bëmë javën e kaluar, vetëm se edhe më fort!!!”





