
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se të dhënat e rinumërimit janë publikuar tashmë në platformën e Komisionit.
“Në vazhdim, ju njoftoj se në orën 12:00 është përmbyllur procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, 185 sosh, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen. Të dhënat nga ky proces i rinumërimit janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultate”, tha Elezi.
Ai theksoi se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të afatit për ankesa, përfshirë edhe ato që mund të paraqiten lidhur me procesin e rinumërimit.
“Por, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, e cila ishte dita e mërkurë, 17 qershor, afat i cili përfundon sot, e premte. Gjithashtu, KQZ-ja do të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit, i cili është zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pra proces i cili është përmbyllur sot, më 19 qershor, në orën 12:00. Për procedurë, më lejoni t’ju njoftoj se, para shpalljes së rezultateve, si zakonisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë e cila është në shqyrtim”, ka shtuar Elezi.
Kosova mbajti zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor gjashte muaj pas zgjedhjeve te 28 dhjetorit 2025, pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë presidentin e vendit as pas përfundimit të afateve ligjore.





