Ish-ministri britanik: Nuk ka asnjë dëshmi bindëse që mund të denojnë Hashim Thaçin

Lajme21 hours ago42 Views

Ish-ministri britanik Denis MacShane, i cili ka shërbyer në qeverinë e kryeministrit Tony Blair, javën e kaluar mori pjesë në konferencën “Urat e Kujtimit”, të organizuar nga organizatat “Liria ka Emër” dhe KIPRED.

Me këtë rast, MacShane u ndal edhe te gjykimi i Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara. Ai e quajti Thaçin “një nga arkitektët më të suksesshëm të komunikimit politik gjatë kohës së luftës, i cili arriti të bindte median ndërkombëtare dhe madje edhe Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, të refuzonin propagandën shumë më të sofistikuar dhe më të financuar të regjimit serb”. Sipas tij, Thaçi më pas vendosi “vullnetarisht të dorëzohej para Dhomave të Specializuara në Hagë, në nëntor të vitit 2020”.

Ish-ministri MacShane, i cili ka pasur edhe një karrierë si gazetar dhe autor librash, akuzoi disa qarqe perëndimore për zhvillimet në Hagë. “Shpresa naive e disa qarqeve perëndimore se udhëheqësit kosovarë mund të viheshin në të njëjtin plan moral dhe juridik me skuadrat vdekjeprurëse të regjimit të Millosheviqit ka rezultuar të jetë një rrugë pa dalje”, tha ai.

Megjithatë, pavarësisht meritave që ia atribuoi Thaçit, MacShane theksoi se “që prej asaj kohe ai vazhdon të mbahet në paraburgim. Deri më sot nuk është paraqitur asnjë provë bindëse apo dëshmi e besueshme që do të mund të çonte në dënimin e tij”.

Në përfundim, Denis MacShane u shpreh se “është investuar aq shumë në idenë se gjykatat ndërkombëtare, gjyqtarët, prokurorët dhe procedurat ligjore mund të sjellin mbylljen e plagëve, pajtimin dhe harmoninë pas konflikteve të përgjakshme, saqë askush nuk duket i gatshëm të pranojë një të vërtetë të pakëndshme: Kosova rrezikon të mbetet një shtet i cunguar, për aq kohë sa Bashkimi Evropian vazhdon të tolerojë fiksionin se njohja e saj e plotë si shtet nuk është e domosdoshme.”

Leave a reply

Advertisement

Follow
Sign In/Sign Up Sidebar Search
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...